Klaus Gjasula në Bundesliga, mesfushori i Kombëtares “pasuron” ekipin e Sylvinho-s

Klaus Gjasula në Bundesliga, mesfushori i Kombëtares
Kombëtarja Shqiptare do të ketë në përbërje një lojtar tjetër që luan mes 5 ligave më të forta të kontinentit. Bëhet fjalë për lojtarin e lindur në Tiranë, Klaus Gjasula, i cili është ngjitur mes më të mirëve të Gjermanisë bashkë me skuadrën e tij, Darmstad.

Suksesi minimal 1-0 ndaj Magdeburg në shtëpi e lejoi sot ekipin modest të Gjasulës që të rikthehet zyrtarisht në Bundesliga pas 4 viteve mungesë. 33-vjeçari kuqezi u rrëzua nga Bundesliga në vitin 2019 kur ishte pjesë e Paderborn ndërsa Darmstad rikthehet pas 8 viteve mungesë.

Gjatë këtij sezoni, Gjasula numëron 16 ndeshje dhe rreth 900 minuta të luajtura me fanellën e Darmstad ndërsa në ndeshjen e promovimit në Bundesliga, ai u aktivizua titullar.