Partizani nuk i ndahet Tiranës, mund Erzenin 2-1 dhe u jep sinjale kampionëve

Erzeni nuk arrin t’i bëjë ballë Partizanit që dominon shijakasit zyrtarisht në krizë me 6 ndeshje pa fitore dhe hijet e zonës play-out në sfond. Të kuqtë e drejtuar nga Giovani Colella tentuan të zhbllokonin rezultatin që në pjesën e parë por u përballën me murin e skuadrës së Xhevahir Kapllanit.
Ndeshja mori drejtim tjetër në minutën e 60 kur Rrapaj-Telushi kombinuan duke dhuruar një top për Da Silvën që nuk fali përballë ish-it Xhika. 1-0 dhe këmbët e kryeqytetasve u lehtësuan pas golit që zhbllokoi sfidën.
Sota e la skuadrën e Colella-s me 10 lojtarë 7 minuta nga fundi i kohës së rregullt por Partizani nuk e tërhoqi këmbën pasi Hoti vulosi suksesin në frymën e fundit për një fitore shumë të rëndësishme në kampin e kuq.
Kahrimanovic shkurtoi shifrat por vetëm në minutën e 98-të. Partizani e ngjushton në -2 diferencën me Tiranën e vendit të parë që pret nesër Kastriotin, ndërsa Erzeni mund të zbresë në vendin e shtatë pas ndeshjes Kukësi-Teuta.
