Goce Sedloski dhe Edlir Tetova kanë shpresa te ndeshja e kthimit (VIDEO)

Pas barazimit 1-1 në “Loro Boriçi” mes Vllaznisë dhe Egnatias në gjysmëfinalen e parë të Kupës së Shqipërisë, dy trajnerët u shfaqën të kënaqur me lojën e skuadrave të tyre.

Goce Sedloski:

“Ishte një ndeshje kërkuese, e luajtur në mënyrë korrekte nga të dy ekipet. Duhet të ndalojmë atë që na e realizon çdo kundërshtar, kundërsulmin. Ndoshta duhej ta shënonim më herët atë gol, por duhet të jemi realistë dhe mendojmë që edhe me 1-0 ata kishin shanse dhe mund të dyfishonin rezultatin. Kam ardhur këtu të luaj një futboll sulmues, këtë jam munduar t’u injektoj lojtarëve. Nuk është e lehtë të kuptohet menjëherë por edhe të ndalojmë kundërsulmet që na krijojnë kundërshtarët. Nuk mund të kem ndonjë kritikë kundrejt lojtarëve përveç gabimeve në pasime, por kur e sheh rezultatin 1-1, duke pasur parasysh që kemi më të paktën edhe 95 minuta të tjera, e dimë që të dielën na pret një ndeshje me të njëjtin kundërshtar, duhet të pushojmë mirë e përgatitemi mirë dhe ta presim këtë ndeshje si e dëshirojmë. I uroj të dy ekipeve dhe mbetet që rezultati të zgjidhet në ndeshjen e ardhshme”.

Edlir Tetova:

“Për atë që u paraqitëm, në ndeshjen e parë u munduam të kontrollonim kundërshtarin e ishim poshtë linjës së topit, përveç 20 minutave të para, ishim gjithmonë në kontroll. Morëm atë që deshëm me golin, por eksperienca jo shumë e madhe në këtë gjysmëfinale, bëri të pësojmë një gol në minutat e fundit. Gol që mund të ishte i evitueshëm, portieri nuk ka parë asgjë, ndaj shkuam te barazimi. Çunat dhanë maksimumin, kemi një ndeshje tjetër ditën e diel, shpresoj të marrim më të mirën.

Do bëjmë çdo gjë në ndeshjen e ardhme, shpresojmë që të mos kemi më kështu situatash se janë tronditje për të gjithë nga ne. Në dhomat e zhveshjeve kishte tronditje, u thashë “qetësohuni, se ka ndeshje tjetër”. Shpresojmë te ndeshja e kampionatit se ka ndeshje tjetër akoma”.