Tirana, javë vendimtare për të ardhmen e Shehit, klubi nuk dëshiron të largohet

Orges Shehi e ka marrë vendimin por klubi i Tiranës po bën çdo tentativë për ta bindur teknikun të qëndrojë minimalisht edhe një sezon.

Titulli i fituar sezonin e kaluar dhe kryesimi këtë sezon kur duhen edhe 8 javë nga fundi, e bëjnë Shehin një nga trajnerët më të suksesshëm të futbollit shqiptar në dekadat e fundit por problemet finenciare të Tiranës mund ta shtyjnë ish-portierin Durrsak të marrë një rrugë pa kthim.

Pak javë më parë, ai pranoi nën zë për media të ndryshme se ky do të ishte sezoni i tij i fundit si bardheblu dhe kjo është e kuptueshme për një profesionist që nuk paguhet në kohë nga klubi, por Tirana ka besim se problemet do të zgjidhen shumë shpejt dhe Shehi do të pranojë ofertën e drejtuesve për të vazhduar aventurën në stol edhe opërtej këtij sezoni për të drejtuar fillimisht skuadrën në Europë e më pas edhe në sezonin e ardhshëm.

Për momentin situata është e paqartë dhe Shehi nuk është shprehur publikisht por stoli i Tiranës mbetet në pikëpyetje.