FSHF, Armand Duka vë theksin te zgjerimi i hartës futbollistike në vendin tonë
Në konferencën “Arritjet dhe Sfidat e Sportit në Shqipëri” , FSHF u përfaqësua nga presidenti i këtij institucioni, Armand Duka, i cili në pavionin e FSHF-së, prezantoi historikun dhe arritjet kryesore të futbollit në Shqipëri ndër vite e u shumë të rinj e të reja u informuan për aktivitetet që organizon Federata e Futbollit dhe investimet e mëdha në infrastrukturë.
“Sot që flasim, organizohen 23 gara kombëtare për djem, 3 gara kombëtare për vajza, kampionate Rajonale për djem e vajza si dhe kompeticione kombëtare për futbollin amator 5×5, 6×6 dhe 9×9 ku në total luajnë 22 mijë futbollistë profesionist, gjysmë profesionist dhe amator. Futbolli i vajzave është gjithashtu një hapësirë e rëndësishme në futbollin tonë, një prioritet i madh i Federatës.

Edhe pse ka pak më shumë se një dekadë që ka nisur, numëron 2 mijë vajza që luajnë futboll në të gjithë vendin dhe falë projekteve e nismave që kemi ndërmarrë synojmë dyfishimin brenda dy viteve të ardhshme. Çdo fundjavë 1140 ekipe futbolli djemsh dhe vajzash të të gjitha niveleve luajnë futboll në gjithë territorin e vendit. Mbi 650 zyrtarë janë të angazhuar në mbarëvajtjen e ndeshjeve të futbollit. Mbi 100 mijë njerëz të përfshirë direkt krijojnë një ekonomi futbolli, që konsumon dhe kontribuon në ekonominë shqiptare”.

Gjithashtu, Presidenti i FSHF-së u ndal te investimet në infrastrukturë, teksa përmendi ndërtimin e veprave madhore si stadiumet “Elbasan Arena”, “Loro Boriçi”, “Kukës Arenan”, “Air Albania Stadium”, kompleksin modern Shtëpia e Futbollit apo edhe shumë fusha të ndërtuara në të gjithë vendin.

“Fale kësaj pune, UEFA na ka besuar organizimin e shumë aktiviteteve ndërkombëtare. Nëpërmjet këtyre aktiviteteve, u shërbejmë të rinjve, për ti afruar akoma më shumë me sportin tonë, përmirësojmë eksperiencën tonë organizative dhe shërbejmë gjithashtu si promotor turistik të vendit tonë. Vetëm në katër vitet e fundit kemi organizuar dhe po vazhdojmë të organizojmë 30 aktivitete ndërkombëtare për djem dhe vajza duke mirëpritur në Shqipëri më shumë se 3 mijë futbollistë e zyrtarë që kanë qëndruar mesatarisht 8 ditë në zonën tonë bregdetare.

Qershia mbi tortë e këtyre organizimeve, ishte finalja e madhe historike e UEFA Conference League që e ktheu Tiranën dhe Shqipërinë në epiqendër të futbollit botëror me 155 shtete në të gjithë botën që e transmetuan këtë finale duke i bërë vendit tonë reklamën më mbresëlënëse të kryer ndonjëherë. Mijëra tifozë, gazetarë, figura legjendare futbolli, sponsor, njerëz nga bota e financës dhe menaxhimit, patën mundësi të kalonin orë fantastike në Tiranë duke gjetur një mikpritje dhe një organizim perfekt”.

Evenimenti u organizua nga Ministria e Arsimit dhe Sportit. Aktivitetit të zhvilluar sot në Pallatin e Kongreseve të Tiranës i parapriu edhe Panairi i Vlerave të Sportit, ku FSHF prezantoi në pavijonin e saj historikun dhe arritjet kryesore të futbollit në Shqipëri ndër vite e u shumë të rinj e të reja u informuan për aktivitetet që organizon Federata e Futbollit dhe investimet e mëdha në infrastrukturë.
