Galtier e pranon momentin e vështirë që po kalon pas akuzave për racizëm

Trajneri i PSG, Christophe Galtier duhet të bëjë llogaritë jo vetëm me problemet që ka skuadra pas eleminimit nga Champions League e rezultatet e dobëta në kampionat, por edhe me një çështje delikate. Ai është akuzuar për racizëm në kohën që ka drejtuar skuadrën e Nice dhe pas një jave me polemika të shumta, Galtier vendos të flasë.

“Jam goditur rëndë dhe nuk mund ta pranoj që emri im dhe familja ime të njollosen në këtë mënyrë. Kam bërë një denoncim dhe nuk do t’u përgjigjem pyetjeve të tjera në lidhje me këtë argument. Kam marrë mesazhe të papëlqyeshme, por edhe pozitive me manifestime publike të rëndësishme si në publik dhe në jetën private.

E vlerësoj sepse duhet të jemi gjithmonë të vëmendshëm për atë që themi. Me lojtarët nuk kam folur për këtë çështje, por përgjigjen më të mirë ma kanë dhënë në fushë me përkushtimin në stërvitje”.