S’ka qetësi për të dëmtuarit/ Banorët e një pallati në Plazh të Durrësit: Firma la punimet në gjysmë
Banorët e pallatit numër 9 të lagjes 13 në plazhin e Durrësit shprehen të shqetësuar pasi firma që kishte filluar para pak muajsh riparimin e ndërtesës, e cila ishte shpallur nga ekspertët e nivelit DS 3, ka ndërprerë punimet. Ata thonë se shtëpitë e tyre tanimë kanë mbetur gjysmë të rregulluara, ndërsa kërkojnë ndërhyrjen e institucioneve.
Dhjetëra familje shtëpitë, e të cilëve u prekën nga tërmeti i 2019 në Durrës, ende nuk kanë një banesë të rregullt.
Banorët e pallatit numër 9 të lagjes 13 në plazhin e Durrësit denoncuan firmën ndërtuese dhe bashkinë për neglizhencë.
Banorët u shprehën së pallati i tyre me shkallë dëmtimi DS3, iu nënshtrua rikonstruktimit, por firma ndërtuese u tërhoq duke lënë punimet në gjysmë.
"Kanë filluar për të bërë punimet, kanë ardhur skelat prej dy muajsh dhe ka ngecur. Nuk kanë marrë lekët punëtorët dhe janë hequr skelat, kështu na thanë".
"Nuk është rregulluar as 5% e pallatit, dhe kanë hequr skelat e po ikin."
Të gjendur në kushtet kur sipas banorëve askush nuk po bën asgjë, ata i bënë thirrje institucioneve për të ndërhyrë.
"Është një rrëmujë e madhe, kemi frikë të ngjitemi lart dhe të rrimë në shtëpi. Kemi fëmijë. Janë 46 familje."
"Kanë filluar që në dhjetor dhe nuk është bërë asgjë. Na i kanë prishur komplet, është bërë stallë kuajsh.Kur nuk kishin fond pse e filluan, ta linin ashtu."
Qindra pallate u shkatërruan, dhe qindra të tjerë u dëmtuan nag tërmeti tragjik i 26 nëntorit të 2019, ndërsa banorët e prekur kanë protestuar herë pas herë për vonesa në rindërtim.

