Reagon pas 24 orësh Kushi: E indinjuar për dhunën ndaj mësueses në Memaliaj, rast i izoluar

Ka reaguar pas një ditë ministrja e Arsimit Evis Kushi lidhur me rastin e dhunimit të një mësueseje në ambientet e shkollës 9 vjeçare "Nimete Progonati" në qytetin e Memaliajt.

43 vjeçarja M.H. është dhunuar nga tezja e një fëmije në ambientet e shkollës. Shkak është bërë pretendimi për bullizim të nxënëses 9 vjeçare në klasën e 3-të prej mësueses M.H.

Kushi shkruan se shumë e indinjuar nga rasti i dhunës së ushtruar mbi një mësuese në mjediset e shkollës 9-vjeçare në Memaliaj dhe shton se ky është një rast i izoluar.

Kushi: Jam shumë e indinjuar nga rasti i dhunës së ushtruar mbi një mësuese në mjediset e shkollës 9-vjeçare “Nimete Progonati” në Memaliaj. Pavarësisht arsyeve që kanë shkaktuar këtë ngjarje, dhuna nuk është asnjëherë mënyra e duhur për zgjidhjen e konflikteve. Në institucionet tona arsimore funksionojnë të gjitha strukturat e nevojshme për menaxhimin dhe zgjidhjen e situatave problematike.

Edhe pse është një rast i izoluar, për të cilin u morën masa të menjëhershme që ditën e djeshme, unë shpreh solidaritetin dhe u bëj thirrje nxënësve, prindërve dhe gjithë shoqërisë që ta trajtojmë mësuesin me respektin dhe dinjitetin që meriton. Ne nuk do të tolerojmë asnjë rast dhune, as ndaj nxënësve e as ndaj mësuesve, atyre që edukojnë me dashuri fëmijët tanë dhe përgatisin me përgjegjshmëri brezat e ardhshëm. Dua të garantoj të gjithë prindërit që ne do të vazhdojmë të punojmë me përkushtim dhe do të marrim të gjitha masat që shkolla të jetë gjithmonë një mjedis i sigurt, i ngrohtë dhe i shëndetshëm për edukimin dhe mirëqenien e nxënësve tanë.