Sherr mes adoleshentësh, godet me thikë të riun për një vajzë, arrestohet 19-vjeçari

Dëmtoi me thikë, një 18-vjeçar, gjatë një konflikti të çastit, falë reagimit në kohë të Policisë, kapet dhe vihet në pranga 19-vjeçari, autori i dyshuar.

"Molla" e sherrit midis adoleshteve ka qënë një vajzë, e cila është kapur duke folur nëpërmjet rrjeteve sociale me të riun R.P. nga vëllai i saj Orgito Hoxha.

Ditën e sotme ka qenë drejtoria e shkollës e cila ka thirrur vajzën bashkë me adoleshentët e tjerë për të shuar situatën, ndërkohë që në momentin kur vëllai i vajzës ka dalë nga shkolla ka qenë shoku i R.P, Marino Beshello ai i cili e ka goditur me kasketë në kokë Orgito Hoxhën e gjatë konfliktit ka nxjerrë thikën, duke e plagosur dy herë në pjesë të ndryshme të trupit.

I riu R.P në deklaratën e tij në policinë e Pogradecit është shprehur se në asnjë moment nuk i ka kërkuar Marino Beshellos të konfliktohet me vëllain e vajzës që ai ka komunikuar në rrjete sociale.

Mësohet se Orgito Hoxha momentalisht ndodhet në reaminacion në spitalin e Traumës në Tiranë, për të marrë mjekim të specializuar. Menjëherë është bërë e mundur arrestimi i autorit të ngjarjes, i cili ka shprehur pendim para forcave blu.

“Më datë 12.04.2023, në fshatin Çërravë, Pogradec, shtetasi M. B., 19 vjeç, banues në fshatin Çërravë, gjatë një konflikti, dyshohet se ka dëmtuar me mjet prerës (thikë), një 18-vjeçar, i cili u transportua në spital për ndihmë mjekësore.

Falë ndërhyrjes të shpejtë, shërbimet e Policisë bënë të mundur kapjen dhe arrestimin në flagrancë të autorit të dyshuar të plagosjes, shtetasit M. B., për veprën penale "Plagosja e rëndë me dashje". Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.” – njofton policia.

Materialet do t'i referohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec, për veprime të mëtejshme.