Rikthimi i lojërave të fatit, Dilaveri: Mbyllja dhe rihapja ishin strategji për të çuar ujë tek mulliri, vetëm në favor të familjeve nuk ishte

Një ditë më parë u publikua projektligji për mënyrën se si do të funksionojë rikthimi i lojërave të fatit.

Eksperti i ekonomisë Flobens Dilaveri në një intervistë për Ora News deklaroi se mbyllja dhe hapja e lojërave të fatit ishte një strategji "për të  çuar ujë tek mulliri", dhe vetëm për qytetarët dhe familjet jo.

Fakti se tashmë ato do të rihapen me argumentin se do të jenë online nuk është argument sipas tij pasi edhe kur u mbyllën shumica e pikave vepronin online.

"Tani po i mëshohet idesë që bastet do të jenë online, do të ketë kontroll ndërkohë edhe në momentin që u mbyllën kishte një kompani të licensuar për baste online. Në pjesën më të madhe bastet kishin vite që ishin online, edhe pse ekzistonte mundësia të luhej fizikisht. Nuk shoh ndonjë ndryshim të madh sot, përveçse u rikthyem aty ku ishim.

Nuk është nevojë konomike sepse nuk do të mbylleshin. Ato të ardhura të buxhetit të shtetit që i munguan për kaq vite sa i munguan nuk do të kishin lejuar që bastet të mbylleshin.

Pra unë mendoj se edhe mbyllja dhe hapja janë një strategji e caktuar që çojnë ujë në një mulli të caktuar: mulli me erë, online, të gjitha llojet e përbërësve por që në asnjë rast s'kanë qënë në favor të publikut të gjerë dhe as të nënave, grave apo të motrave siç ishin ca parrulla kur u mbyllën bastet," tha ai.