Ahmetaj padi kundër sekuestrove, avokatët e ish-ministrit dorëzojnë ankim në Apel
Avokatët e ish-ministrit Arben Ahmetaj kundërshtojnë vendimin e SPAK për sekuestrimin e dy vilave në pronësi të partneres dhe ish gruas së zyrtarit të lartë.
Ata kërkojnë shfuqizimin e vendimit duke e cilësuar të pabazuar në ligj dhe në prova. Më herët apeli I GJKKO ka rrëzuar një tjetër padi të Ahmetajt që kërkoi pavlefshmëri për kontrollet e kryera në këto prona.
Ish-zv. kryeministri Arben Ahmetaj ka dorëzuar në gjykatë ankim kundër vendimit të prokurorisë së posaçme për sekuestrimin e vilave të ish gruas dhe partneres aktuale në Hamallaj dhe në Palasë.
Në ankimin e dorëzuar në shkallën e dytë të GJKKO kërkohet shfuqizimi i vendimit të gjykatë së shkallës së parë që aprovoi kërkesën e prokurorisë për vendosjen e sekuestros ndaj dy banesave private.
Javën e kaluar gjykata vendosi bllokimin e Vilës në Hamallaj e cila i përket bashkëjetueses së Ahmetajt Erjola Hoxha e ndërsa objekti tjetër i sekuestruar ishte vila në Palasë, në pronësi të ish gruas së zyrtarit të lartë, Albina Maçka.
SPAK pretendon se këto vendime sekuestrimi u morën pasi ka dyshime se asetet mund të tjetërsoheshin për shkak të nisjes së hetimit pasuror ndaj Arben Ahmetaj me dyshimin se ka kryer 4 vepra penale.
Pak ditë më parë gjyqtari i Apelit Dhimiter Lara refuzoi ankimin e bërë nga avokatët e Ahmetajt, për pavlefshmërinë e kontrolleve të kryera nga Byroja Kombëtare e Hetimit, me urdhër të SPAK, në vilat e vendosura tashmë nën sekuestro.
Bastisjet u zhvilluan edhe në dy prona të tjera të bashkëjetueses së Ahmetajt, në periferi të Tiranës.
Dosja e hapur ndaj ish zv kryeministrit bën fjalë për materiale të veçuara nga hetimi i episodit të parë të incineratorit të Elbasanit por edhe denoncimet mediatike për pagesa të përfituara nga Ahmetaj nga pronarët e kompanive të incineratorëve.
Javën e kaluar SPAK deklaroi se po heton edhe transfertat bankare të ish-ministrit të financave.

