Durrësi ende problem me plehrat, kazanëve të tejmbushur u vihet flaka

Megjithëse ka kohë që në Durrës është deklaruar se problemi i mbetjeve urbane është zgjidhur, ende qytetarë të ndryshëm vazhdojnë të sjellin në redaksi pamje me mbetje në kazanët e tejmbushur.

Kjo situatë deri tani është më kritike në lagjen nr 17 në rajonin e ish-kënetës, por konstatohet me raste edhe në lagjen nr 15. Ditën e martë një rast i tillë u vu re në këtë lagje, ku një grup koshash ishin të mbushur dhe në njërin prej tyre mbetjet ishin përfshirë nga flakët.

Djegia e tyre në qiell të hapur në mes të lagjes së banuar afër banesave sjell pasoja të rënda shëndetësore.

Dihet kosto e rëndë e transportit që ka një ton mbetje deri në Inceneratorin e Tiranës. Dhe shpesh djegia në kazanë ose vendgrumbullime është një rrugë e shpejtë për të kursyer.

Po kjo praktikë e djegies në hapësirat publike është shkelje ligjore që duhet luftuar.