Një ulërimë për 8 Mars, protestojnë për mbrojtje nga agresorët

Bukurija tregon se është martuar me mblesëri dhe për hir të familjes thotë se ka duruar për 17 vite dhunën nga ish-bashkëshorti i saj.

"Fizike, psikologjike, të gjitha të drejtat mu kanë shkelur mua si grua. Për hir të vëllait, për hir të familjes e kam mbajtur".

Sot është e divorcuar.

"U divorcova për hir të fëmijëve."

Bukurija nuk është e vetmja me këto vuajtje.

Këto këpucë të kuqe përfaqësojnë viktimat e dhunës në familje.

Vetëm gjatë vitit 2022, kanë humbur jetën 12 gra.

Ambasadorja e Suedisë në vendin tonë thotë se Shqipëria është ende larg barazisë gjinore.

"Kemi vendosur ti përkujtojmë këto gra përmes këtij instalacioni të quajtur këpucët e kuqe. Të gjithë këto 45 mijë gra të vrara prej burrave, të cilëve ato u besonin".

Këpucët e kuqe do të qëndrojnë për një vit në sheshin "Nënë Tereza", si një këmbanë alarmi për sigurinë e grave dhe të vajzave.

Paralelisht gratë demokrate protestuan përpara institucionecve shtetërore, duke fajësuar kryeministrin Edi Rama si përgjegjës situatën.

"135 gra janë vrarë gjatë qeverisjes së Edi Ramës sepse Edi Rama vetë është njeri i dhunshëm."

Shkallët e kryeministrisë ishin ndalesë edhe për shoqërinë civile.

"E bërtasim zemëratën tonë në rrugë dhe përballë çdo strukture shtetërore për të marrë veprime konkrete për mbrojtjen, sigurinë dhe zhvillimin e grave në Republikën e Shqipërisë."

Një ulërime kolektive nxorën për të gjitha ato që sot nuk jetojnë më.

Ndalesa e fundit ishte para Ministrisë së Drejtësisë, ku në shenjë revolte mbushën shkallët me pankarta dhe mesazhe përmes këngës.

Protesta për ditën e 8 Marsit pati edhe në qytete të tjera të Shqipërisë nga ku u kërkua barazi.