Klosi kërkon thertore, qindra blegtorë nuk kanë ku të therin bagëtitë e tyre

Blegtorët në Klos kanë ngritur shqetësimin e mungesës së një thertoreje në zonën e tyre. Ata thanë se pavarësisht se zona merret gjerësisht me rritjen e bagëtive mungesa e thertores ka sjellë problematika të mëdha për ta.

Në Klos nuk ka një thertore për gjënë e gjallë.

Në një zonë ku shumica dërmmuese e popullsisë merren me rritjen e bagëtive, mungesa e një thertoreje duket absurde, por ëshët e vërtetë.

 Prej afro 7 vitesh pazari i gjësë së gjallë në Klos e ka humbur atë famën që kishte dikur ku mblidhte qindra njerëz çdo të dielë jo vetëm për të shitur bagëtinë.

Vendimi i Ministrisë së Bujqësisë në vitin 2016 bëri që të mbylleshin qindra thertoret në të gjithë vendin me argumentin për të rritur sigurinë e produkteve të mishit për konsumatorët.

Ato pak blegtorë që shkojnë ta frekuentojnë tregun e së dielës në Klos, thonë se vendimi i ministrisë i ka dëmtuar shumë sepse blerësit hezitojnë t’i blejnë të gjalla bagëtinë.

"Është shumë problem. Ne prej 5 vitesh kemi mbetur rrugëve, s'ka as thertore, asnjë gjë. Janë ndërtuar si thertore por nuk funksionojnë.

A e shkretojë këtë vend," thonë fermerët.

Ata shprehen se e kanë të pamundur të frekuentojnë thertoret e largëta pasi ka kosto të lartë.

"Në Burrel është një. Kemi rënë në hall.  E marrim mallin nga pazari e çojmë në shtëpi.

Këtu s'e ndaloi as Ahmet Zogu. Ky është krim, pse mos të ketë thertore," thonë ata.

Dikur në pazarin e së dielës në Klos bëhej tregti e madhe e mishit pasi blegtorë jo vetëm nga zonat e Klosit por nga i gjithë veriu vinin këtu për të shitur bagëtitë.

Klosi kërkon thertore, qindra blegtorë nuk kanë ku të therin