Shtatë të arrestuar dhe 5.6 kg kanabis të sekuestruara në Shkodër
Shtatë persona janë arrestuar ndërsa është sekuestruar dhe rreth 5.6 kilogramë kanabis në Shkodër.
Në vazhdën e operacioneve të njëpasnjëshme të zhvilluara nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, bazuar dhe në inteligjencën informative, për ushtrimin e veprimtarisë kriminale në fushën e prodhimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike, brenda 12 orëve të fundit, janë finalizuar 2 operacione policore.
"-Gjatë operacionit policor “Bleran” u arrestuan në flagrancë shtetasit Pjetër Ashta, 62 vjeç dhe Dodë Ashta, 33 vjeç (babë e bir), banues në fshatin Bardhaj, pasi gjatë kontrollit në banesën e tyre janë gjetur rreth 5.6 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me 2 aparate celulare.
-Gjatë operacionit policor të koduar “Sheshi”, u arrestuan në flagrancë shtetasit: Artilas Vuksani, dhe Emiljan Vuksani, të dy 19 vjeç, Robert Pepniku, 26 vjeç dhe Robert Preka, 22 vjeç, të katërt banues në Shkodër dhe Rajmond Kola., 22 vjeç, banues në Golem, pasi shërbimet e Policisë, në afërsi të sheshit ”Prek Cali”, kanë ushtruar kontroll në automjetin me të cilin qarkullonin këta shtetas dhe si rezultat kanë gjetur një sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis, të përgatitur gati për shitje," njoftoi policia.
Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas ushtronin aktivitetin kriminal të shpërndarjes së lëndëve narkotike në doza, në qytetin e Shkodrës.
Vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të aktiviteteve kriminale të këtyre shtetasve.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

