Tregtonin mallra kontrabantë në Tiranë, shpallet në kërkim administratorja, procedohen 3 punonjësit

Një 32 vjecare është shpallur në kërkim ndërsa tre të tjerë janë proceduar penalisht pasi në një magazinë policia gjeti mallra kontrabantë si veshje, produkte kozmetike dhe pajisje elektronike.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në DVP Tiranë, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandës me mallra, pas një pune të mirëfilltë hetimore, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar "Pakot postare 2".

Si rezultat i këtij operacioni u shpall në kërkim shtetasja A. D., 32 vjeçe, banuese në Tiranë, administratore e një poste private.

Gjithashtu, nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit L. M., 37 vjeç, A. K., 22 vjeç dhe A. A., 40 vjeç, të tre banues në Tiranë, punonjës të kësaj poste.

"Gjatë kontrollit të magazinave të postës në administrim nga shtetasja A. D., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 93 pako me mallra të ndryshme (veshje, produkte kozmetike, pajisje elektronike etj), pa fatura tatimore shoqëruese apo deklarata doganore për origjinën e mallrave," njoftoi policia.

Nga veprimet hetimore dyshohet se mallrat e sekuestruara janë futur kontrabandë në Shqipëri.

Vijon puna hetimore për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie të kundërligjshme.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.