“Komisariat” për të miturit, fëmijët që kryejnë krime intervistohen në ambiente të veçanta në Shkodër
Fëmijët që shkelin ligjin tashmë do të merren në pyetje në ambiente të posaçme në komisartiatin e policisë në Shkodër. Regjistrimi me audio dhe video i intervistimit është risi e cila synon kujdesin psikologjik të fëmijëve.
Të miturit që përfundojnë në polici për krimet që kryejnë, tashmë do të kenë mjedise tërësisht të veçanta për marrjen në pyetje. Në drejtorinë vendore të policisë Shkodër janë ndërtuar sallat e posaçme të intervistit ku i gjithë proçesi i regjistrohet me sistem audio dhe video.
"Ne jemi të detyruar që çdo provedurë e marrjes së tyre në pyetje të bëhet me sistem audio dhe video. Kjo është një risi që ruan mirëqënien psikologjike të të miturit. Jep mundësi të ripyetjes së tij nga institucionet e tjera," tha psikologu Altin Nika.
Personat që do kryejnë intervistimin janë oficerët e policisë dhe psikologët, ndërsa në sallën tjetër dëshmia mund të ndiqet paralelisht nga prokurori, të afërm dhe avokati mbrojtës.
"Personat që do të kryejnë intervistimin e të miturve si oficerët dhe psikologët janë të trajnuar në sistemin e drejtësisë për të mitur," tha ai.
Vjedhjet janë ato që kryesojnë listën e ngjarjeve në të cilat janë të përfshirë të miturit, por nuk mbeten pas as ngjarjet kriminale, bullizmi në shkolla që sjell dhunë etj.
"Janë zakonisht vjedhjet, krimet ndaj pronës që mbizotërojnë më shumë, por ka dhe drejtimi i mjeteve pa leje drejtimi. Sidomos bullizimi në rrjetet sociale po kthehet në një fenomen të vazhdueshëm," tha ai.
Javët e fundit, në Shkodër ka pasur disa arrestime të të miturve, të akuzuar për vepra të ndryshme penale.