Incident me prokurorin e SPAK/ I fotografojnë makinën Behar Dibrës, arrestohen dy vëllezërit në Durrës

Dy persona kanë fotografuar makinën me të cilën po lëvizte prokurori i SPAK, Behar Dibra, duke shkaktuar një incident 3 ditë më parë në tunelin që lidh Elbasanin me Tiranën. Disa orë pas ngjarjes, Policia ka arrestuar vëllezërit Erges dhe Emirjan Sina, e ndërsa gjykata i ka lënë në burg ndërkohë që po hetohen shkaqet e ngjarjes.

Një incident i ndodhur tri ditë më parë në hyrjen e tunelit Elbasan-Tiranë kishte si protagonist prokurorin e Prokurorisë së Posaçme Behar Dibra, një agjent të BKH-së si dhe dy vëllezërit Erges dhe Emirjan Sina.

Sipas burimeve të policisë, shkak është bërë fakti se dy vëllezërit kanë fotografuar mjetin e prokurorit Dibra, teksa nga ana e personave me të cilët udhëtonte zyrtari i SPAK është bërë e njëjta gjë.

Kjo ka shkaktuar reagimin e Erges dhe Emirjan Sinës, të cilët kanë prerë rrugën duke ndaluar makinën ku ndodhej prokurori.

Njëri nga vëllëzërit është prezantuar si efektiv policie, por duket se të njëjtën gjë ka bërë edhe prokurori Dibra.

Pas këtij komunikimi vëllezërit janë larguar në drejtim të qytetit të Durrësit, ndërsa policia është njoftuar nga vetë prokurori Dibra.

Pas disa orësh policia e Durrësit arriti ndalimin e e dy vëllezërve për llogari të prokurorisë Elbasan.

Gjykata e këtij qyteti caktoi masën "arrest me burg" për vëllezërit Erges dhe Emirjan Sina për akuzat mosbindje dhe kundërshtim të autoriteteve shtetërore, kanosje të prokurorit dhe mbajtje e paautorizuar e mjeteve identifikuese të policisë.

Pas incidentit, policia ka nisur hetimet në lidhje me arsyet se pse dy personat kanë fotografuar automjetin e prokurorit.

Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.