Lulzim Morina, përballet në prokurori me dosje të dytë për “ndërtim pa lejë”

Një dosje e dytë penale, që bën fjalë për ndërtim pa lejë, është shtuar në prokurorinë e Tiranës, ndaj biznesmenit nga Fieri, Juljan alias Lulzim Morina.

Materiali hetimor i dërguar nga komisariati nr. 1 mësohet se është bashkuar me dosjen e parë të muajit shtator 2022, ku Lulzim Morina, u procedua për ndërtimin pa lejë të një pallati 9 katësh në zonën e “Liqenit të Thatë”.

“Ora News” ka mësuar se prej datës 20 shkurt 2023, policia ka referuar materialin në prokurori ndaj Morinës, pasi ky i fundit dyshohet se ka ndërtuar pa lejë dy kate shtesë në një objekt që ndodhet në rrugën e “Elbasanit” në kryeqytet.

Policia ka konstatuar shkeljen duke kërkuar nga prokuroria e Tiranës, procedim penal për “Ndërtim pa lejë” ndaj Morinës, me qëllim përfitimi monetar.

Tashmë dy çështjet hetimore janë bashkuar në një të vetme, ku prokurori Arjan Përmeti, është duke kryer veprime shtesë, për plotësimin e akuzës.

Dosja penale pritet të pasurohet dhe me dokumente të tjera, të institucioneve si INUV dhe IKMT-ë, të cilave u ka kërkuar prokuroria material shtesë nga ai që ka dërguar komisariati nr. 1.

Sipas burimeve të prokurorisë së Tiranës për këtë objekt Lulzim Morina, ka thyer lejen e bashkisë së Tiranës, duke dalë nga projekti dhe ndërtuar dy kate shtesë jashtë miratimit të lejes.

Njëherësh Morina, ka shkelur rregullat dhe ligjet e urbanistikës. Në muajin shtator 2022, Lulzim Morina, u kthye në epiqendrën e parë të denoncimeve të ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku.

Kjo e fundit së bashku me Drejtoreshën e IKMT-së, denoncoi publikisht ndërtimin e një pallati 9 katësh nga kompania e Lulzim Morinës, duke e kthyer këtë rast si shembullin e parë të luftës së informalitetit të ndërtimeve në kryeqytet.

Ky rast u kthye dhe në precedent të rrezikshëm, duke sjellë denoncimin edhe të rasteve të tjera të ndërtimit pa lejë nga biznesmenët Pëllumb Salillari dhe jo vetëm.

Por rasti i ndërtimit pa lejë të pallatit 9 katësh nga Lulzim Morina, solli dhe përjashtimin e ish-shefit të komisariatit nr. 1 në Tiranë, Bujar Mehmeti dhe dy vartësve të tij.