Provë force nga Bayern, skuadra e Nagelsmann nuk e diskuton Union Berlin-in (VIDEO)
Bayern Munchen u përgjigjet në mënyrën më të mirë të mundshme kritikave pas disfatës së G’ladbach. Skuadra e Julian Nagelsmann mundi 3-0 Union Berlin në betejën për kreun dhe rimori vendin e parë ku ndodhet me pikë të barabarta me Borussia Dortmund pas triumfit të “grerëzave” në Hoffenheim.
E zgjidhi shumë shpejt ndeshjen në “Allianz Arena” skuadra kampione që tregoi muskujt menjëherë në fillim të ndeshjes me golin e Choupo-Moting. U treguan të pafuqishëm miqtë nga Berlini të cilët reflektuan edhe lodhjen e Europa League pasi nuk kanë një stol të aftë për t’u bërë ballë dy kompeticioneve njëkohësisht.
Coman dhe Musiala më pas hipotekuan suksesin e bavarezëve, të 13-in sezonal që i rikthen në krye me 46 pikë dhe i projekton liderë të kampionatit. Union mbetet në vendin e tretë me 3 pikë më pak, i kërcënuar nga Freiburg dhe Leipzig por kampionati mbetet ende i gjatë.
