VIDEO/ Mirel Josa kritikon skuadrën, nuk kursen asnjë repart pas humbjes me Kastriotin

Trajneri  Mirel Josa kritikoi sjelljen e skuadrës së Vllaznisë pas humbjes 1-0 në shtëpi ndaj Kastriotit.

“E kam thënë që duhet të bësh llogaritë pasi të mbarojë ndeshja. Normalisht unë nuk shoh çfarë bëjnë ekipet e tjera, por çfarë bëjmë ne. Nuk e zgjidhëm siç duhet pjesën e parë, edhe te goli i Kastriotit duhej të kishim rreshtim më të mirë. Sa i përket jo mbrojtjes, por mesfushës dhe nga aty erdhi pasimi nga i cili erdhi goli. Mund të them që ishin vendosur katër në mbrojtje dhe ata në mesfushë nuk ishin në rreshtimin e duhur. Në aspektin sulmues, kur merrnim topin duhet të ndërtonim nga mbrapa, bëmë diçka nga krahu i majtë. Por nga i djathti ishim në presion të kundërshtarit. Nuk shfrytëzuam zonat me Jonuzin, disa herë bëri mirë Marku, por ne i luajtëm Kastriotit në mënyrën ”Ja ku na ke dhe hajde na marko”.

Në krahun tjetër, Shkëlzen Rustami i cili zëvendësoi Emiljano Çelën e pezulluar, u shpreh i kënaqur për këtë sukses.

“Ndeshja e sotme ishte e vështirë. Është bërë një fazë nga fitorja e fundit, me Vllazninë dhe arritëm të fitonim pas një faze përsëri me ata. Vështirësia këtu dihet, se Vllaznia të imponon lojën në zotërim topi, me lojë të bukur që e ka traditë. Por çunat duhen përgëzuar se janë stërvitur, shumë seriozisht, me dëshirën që të bëjmë më të mirën e mundshme. Kishim ardhur për rezultat pozitiv dhe ky trepikësh na kënaq për vazhdimësinë e mëtejshme. Për ne është finale tani e tutje çdo ndeshje, duke punuar edhe me seriozitet, do të vazhdojmë deri në fund”.