Rindërtimi i harruar në Lezhë, banorët e pallatit 104 protestojnë: Objekti i pabanueshëm
Rindërtimi nga tërmeti i 2019 duket se vijon të shkaktojnë pakënaqësi dhe problematika në zonat e prekura. Në Lezhë banorët e një pallati që është dëmtuar nga lëkundjet sizmike protestuan të mërkurën për shkak se sipas tyre shteti nuk ka kryer rikonstruktimet e nevojshme.
Janë pjesë e të njëjtit pallat, por nuk janë trajtuar ende nga fondet e rindërtimit edhe pse banesat e tyre kanë probleme.
Për këtë arsye banorët e pallatit nr. 104 në lagjën Besëlidhja të Lezhës kërkojnë që të zgjidhet problemi pasi tashmë janë kthyer në banesat e tyre sepse këtë vit u është ndërprerë edhe bonusi i strehimit.
Sipas banorëve edhe ndërhyrja në forcimin e strukturës nuk ka qënë ajo e duhura dhe se banorët e tjerë të pallatit janë trajtuar me dëmshpërblim, por kjo nuk ka ndodhur me ta dhe se sorollaten ndërsa kërkojnë përgjigje.
"Janë 4 vite që ne vazhdojmë të jetyojmë në një pallat që ka qënë i dëmtuar rëndë. Është vënë shiriti me 6 dhjetor 2019, që ka qënë i pabanueshëm. Ne u detyruam të kthehemi në banesat tona. Vjet erdhën dhe bënë një riparim sipërfaqësor jashtë, por brenda i kemi shtëpitë katastrofë," tha një banore.
I kontaktuar nga media për këtë situatë të prezantuar nga banorët, nënkryetari i Bashkisë Lezhë, Ermal Pacaj, thotë se ai seksion është shpallur DS4 dhe si e tillë përveç ndërhyrjes në perforcimin e strukturës është parashikuar edhe ndërhyrja për apartamentet.
Sipas tij, këto punime nuk mund të bëhen nga pronarët e tyre pasi ky është parashikimi për kategoritë DS4 dhe se në këto kushte do tu kërkohet banorëve që të bëhen bashkëpunëtorë dhe të lejojnë ndërhyrjen.