Debate në komisionin e Etikës, opozita: PS shkeli kushtetutën me komisionin McGonigal

Debatet në seancën e fundit të kuvendit i ka kushtuar pezullim nga 3 deri në 10 ditë 6 deputetëve demokrat. Një pjesë e tyre tashmë automatikisht u hiqet mundësia të jenë pjesë e mocionit me debat për çështjen McGonigal.

Të paktën 4 deputetë të partisë demokratike nuk do të jenë pjesë në mocionin me debat në seancën e 2 marsit në parlamentin e Shqipërisë për çështjen McGonigal.

Me shumicë votash socialistët kanë pezulluar me 10 ditë nga punimet e kuvendit Edmond Spahon, Elda Hotin, Oerd Bylykbashin dhe Sorina Kotin.

Ndërsa Lindita Metalia do të mungojë 5 ditë dhe Gerta Bardeli 3. Vendimi u mor me argumentin e bllokimit të foltores në seancën e fundit.

Mbledhja e komisionit u zhvillua me dyer të mbyllura, por Edmond Spaho kundërshtimet i bëri publike përmes Facebook, ku akuzoi se PS po shkel kushtetutën me bllokimin e komisionit hetimor për marrëdhëniet e Ramës me ish-zyrtarin e lartë të FBI, tashmë nën hetim.

“Punimet e Kuvendit në seancë plenare i kam bllokuar se kam kërkuar ngritjen e komisionit hetimor, pasi janë blerë në zyrtarë të huaj kundër PD-së.”

Madje ai kundërshtoi akuzat se dy firma të PD janë falsifikuar.

“Firmat e tyre janë të rregullta, por nuk doni ju të thërrisni.”

Pas marrjes së masës ndëshkimore, deputeti demokrat Sajmir Korreshi e cilësoi veprimin e paramenduar.

“Vendimet janë marrë qysh në kryesinë e PS-së dje dhe ata dolën të vendosur për këtë gjë.”

Megjithatë do të pritet seancë e kësaj jave për të parë nëse do të ketë deputetë të tjerë që do të ndëshkohen nga radhët e PD-së.