“Një dasmë e hatashme”/ Regjisori Kiço Londo rrëfen prapaskenat e komedisë: Dëshiroj shumë që njerëzit të qeshin!

“Një dasmë e hatashme”, ishte komedia e radhës e sjellë me mjeshtëri nga aktorët Julian Deda, Fatma Haxhialiu, Ermira Hysaj, Marjana Kondi, Denisa Demaj dhe Ëngjëll Hoxha. Ndërsa i zoti kësaj dasme ishte regjisori Kiço Londo.

Ky i fundit ishte i ftuari special në emisionin “Ditë e Re” në RTV Ora ku rrëfyen prapaskenat e kësaj komedie që pushtoi vëmendjen e publikut në javën e fundit.

“Dëshiroj shumë që njerëzit të qeshin, të marrin kënaqësi. Dëshiroj shumë që njerëzit të rikthehen në teatër. Dhe në përgjithësi njerëzit pjesa më e madhe e të cilëve janë të gëzuar që po i rikthehen teatrove.

Edhe në Elbasan vura re që njerëzit mbanin radhë për të blerë biletat.

Ndaj dhe mua më pëlqen t’i takoj ata dhe më vjen shpeshherë t’i përqafoj. Sa i përket publikut duhet ta them që janë më shumë gra, por dhe çifte të reja.

Teatri sot është një nevojë për njerëzit, pasi të gjitha rrjetet sociale, kanë një cikël që mbyllet. Ndërsa teatri ka 25 shekuj që ekziston.

Sa i përket komedisë, unë në përgjithësi nuk bëj audicione, por i ndjek në vazhdimësi aktorët dhe aty vendos për t’i përzgjedhur”, u shpreh regjisori Kiço Londo.

Sa i përket veprës, ajo është një komedi tipike britanike që përfshin një numër të pafund përplasjesh me shpejtësinë e dritës.

Në mëngjesin e dasmës së tij, dhëndri zgjohet në suitën e hotelit me një vajzë të panjohur, e cila rezulton të jetë e dashura e re e shokut të ngushtë.

Dhëndri dhe shoku që është dhe kumbari (duke mos ditur kush është vajza) e kalojnë aktin e parë duke u përpjekur të fshehin situatën nga nusja dhe të përdorin shërbyesen e dhomave.

Situata bëhet më e ndërlikuar pasi zbulohet identiteti i vajzës dhe i shërbëtores.

Shoku i ngushtë, nusja dhe nëna e nuses fillojnë të bashkojnë të gjitha pjesët. Gjithçka funksionon në fund, por jo pa dhimbje.