Lezha nis përgatitjet për festivalin e Gjirokastrës, zhvillohet faza e parë e konkurrimit të grupeve artistike

Lezha ka nisur përgatitjet për Festivalin Folklorik Kombëtar "Gjirokastër 2023", i cili rikthehet pas një shkëputje disavjeçare.

Në ambientet e qendrës kulturore të fëmijëve, u organizua faza e parë e konkurrimit të grupeve artistike, përfaqësues nga lahutar, instrumentist popullor, këngëtar e valltar nga qyteti dhe fshatrat e Bashkisë Lezhë.

Drejtori i Pallatit të Kulturës Mark Gjoka bën të ditur se në këtë konkurrim performuan 19 grupe, duke shpalosur vlerat e tyre artistike.

Në bazë të programit të grupit organizator të Këshillit të Qarkut, konkurrimi do të vazhdojë edhe në bashkitë e Kurbinit dhe Mirditës me synim pasqyrimin sa më real i vlerave burimore të folklorit të rajonit të Lezhës, ku synohet paraqitja sa më dinjitoze në festivalin folklorik kombëtar "Gjirokastër 2023".