Skënderbeu shkon në Ulqin e Tuz
Në Ulqin dhe Tuz të Malit të Zi, së shpejti pritet që të vendoset busti i Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu.Vendimi është marrë nga këshillat komunalë, ndërsa drita jeshile është dhënë edhe nga Ministria e Kulturës e Malit të Zi. Politikanët shqiptarë atje shprehen të lumtur që më në fund një ëndërr disa vjeçare po bëhet realitet.
Pas dritës jeshile të dhënë nga Ministria e Kulturës së Malit të Zi, busti Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu do të vendoset në dy qytetet shqiptare të këtij shteti, Ulqin dhe Tuz.
Këshillat komunalë e kanë marrë vendimin dhe megjithëse procesi i vendosjes do të duhej të ishte kryer, vonesat kanë qenë të pashmangshme.
Politikani shqiptar në komunën e Tuzit, Nikoll Camaj, beson që e gjitha kjo proçedurë do të finalizohet brenda këtij viti.
Nikoll Camaj: Kanë bërë parapërgatitje për dokumentacionin që të vënë bustin e Skënderbeut. Procedura shkon në Kuvendet lokale për të caktuar vendin, dimensionet.
Lajmi është pritur me gëzim nga shqiptarët e dy komunave, ndërsa për financimin e projekteve pritet që një kontribut të çmuar të japë diaspora shqiptare.
Nikoll Camaj: Kjo është vlerësuar nga qytetarët, është pritur mirë nga Diaspora. Kjo e fundit ka treguar gatishmëri që ta financojë.
Në Ulqin monumenti pritet të jetë prej bronzi, një metra e gjysmë i lartë, në një bazament prej tre metra e gjysmë.
Fronti në piedestalin e monumentit do të shkruhet në gjuhën shqipe dhe gjuhën malazeze.
Më shumë se 2 vite nga miratimi i dhënë prej Ministrisë së Kulturës malazeze, projektet nuk janë finalizuar pasi ndikim dha pandemia Covid dhe situatat e krijuara në shtetin fqinj, ku stabiliteti politik ka qenë i brishtë.