Ekspozitë italiane në Shkodër, shfaqen 110 imazhet me të spikatura të arkivave historike dhe bashkëkohore të shtetit fqinj
Shkodra u bë mikpritëse e ekspozitës “Italiane, nga Alinarët tek mjeshtrat e fotografisë bashkëkohore”.
110 imazhet me të spikatura të arkivave historike dhe bashkëkohore të shtetit fqinj, të shkrepura përgjatë një shekulli e gjysëm nga 75 fotografët me të mirë italian na sollën realitetin e kohës dhe ndryshimet e rëndësishme në histori.
“Koleksioni i ekspozuar sot quhet “Italie” në shumës sepse ngjan me një lloj vrapimi nëpër realitetin e kohës që ndryshon nga veriu në jug me diferencat e tij ku vihen re si pamjet urbane ashtu edhe ato të natyrës së virgjër apo jeta në fshat etj. Edhe mesazhi i këtyre fotografive është pasqyrimi i këtyre diferencave apo ndryshimeve që ka një vend si Italia por që në fund na bashkojnë të gjithëve si një shoqëri me dallime por edhe të përbashkëtat e saj,” tha Alessandro Ruggera, drejtor i Institutit Italian të Kulturës.
Dëshmi e lidhjeve të hershme mes Shkodrës dhe Italisë, kjo ekspozitë mbart brenda saj forcen krijuese.
"Kam bindjen absolute që shkodranët do ta konsiderojnë të gjithë periudhën e prezantimit për të parë artin dhe kulturën ën nivelet më të larta të saj, " tha Bardh Spahia kryetar i bashkise Shkodër.
"Është një e mirë kjo që i shërben jo vetëm qytetit e galerisë por na dëshmon kilometrin kulturor që e kemi përcjellë," tha Fatmir Juka, drejtor i Galerisë së Arteve.
Ekspozita është e ndarë në tre seksione, Peizazhe, Vepra, Fytyra secila në gjendje të përbëjë në vetvete një rrugëtim ideal gjeografik, historik dhe artistik. Kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur deri më 28 shkurt në Galerinë e Arteve në Shkodër e me pas udhëton drejt Berlinit.