Mister në dorëshkrimin mesjetar: Eadburg, gruaja që la gjurmët “e padukshme” në tekstin e çmuar fetar
Rreth 1300 vjet më parë, një grua misterioze skaliti mbi një libër të çmuar shkronja dhe disa vizatime. Ajo nuk përdori bojë - i gërvishti, kështu që ishin pothuajse të padukshme për syrin e lirë. Studiuesit sot na zbulojnë kutimin e tyre.
Një seri mbishkrimesh misterioze, pothuajse të padukshme për syrin e lirë, janë zbuluar në një dorëshkrim fetar mesjetar të shekullit të tetë, që ruhet në Bibliotekën “Bodleian” të Oksfordit.
Duke përdorur teknologjinë më të fundit të regjistrimit 3D, studiuesit kanë mundur të zbulojnë një emër enigmatik gruaje të shkruar në faqe të ndryshme të dorëshkrimit.
Jessica Hodgkinson, një studente doktorature në Universitetin e Leicester-it, zbuloi në skajet e dorëshkrimit, midis shënimeve të tjera, një emër misterioz gruaje të shkruar në anglishten e vjetër. Emri Eadburg u gjet I regjistruar disa herë në këtë dorëshkrim rreth 1300 vjet më parë.
"Ka vetëm një numër të kufizuar dorëshkrimesh të hershme mesjetare që kanë mbijetuar deri në ditët e sotme që përmbajnë prova të qarta se ato janë krijuar, zotëruar ose përdorur nga një grua," tha Hodgkinson, e cila zbuloi emrin enigmatik femëror ndërsa bënte kërkime mbi "Mesjetën e hershme. Gratë dhe dorëshkrimet” për tezën e saj.
Dorëshkrimi që po studionte Hodgkinson është një kopje e Veprave të Apostujve që është shkruar në latinisht në Angli midis viteve 700 dhe 750. Vëllimi ka përmasa vetëm 229 x 176 milimetra dhe është pak më e madhe se një fletë letre A5.
Studiuesit besojnë se është shumë e mundur që vetë Eadburg të ketë shkruar emrin e saj, për të lënë një shenjë. Disa veçori të dorëshkrimit sugjerojnë se shenjat mund të jenë shkruar në Kent, ku jetonte një grua e cila ishte abbaseja e një komuniteti fetar femëror në mesin e shekullit të 8-të, dhe se quhej Eadburg.
Në të, është zbuluar gjithashtu një transkriptim në anglishten e vjetër dhe disa vizatime misterioze të figurave skematike njerëzore, të cilave studiuesit nuk kanë mundur t'u japin përgjigje tani për tani.
Hodgkinson shpreson se kërkimet e ardhshme mund të zbulojnë kuptimin e këtyre figurave si dhe transkriptimin e lashtë, i cili deri më tani nuk ka qenë në gjendje të përkthehet.