Përplasje politike për plehrat e Lushnjes, Sharka denoncon djegien me video, Korreshi: Depozitohen në incinerator

Problemi i depozitimit të mbetjeve në Lushnje mbetet pa zgjidhje ndërsa palët politike vendore kanë pretendime të ndryshme.

Kandidati demokrat për këtë bashki, Eduart Sharka, publikoi një video në të cilën shfaqen makina me plehra që shkarkohen në ish-vendgrumbullimin e dikurshëm.

Përballë këtij fakti, nënkryetari aktual i bashkisë, Elton Korreshi, thotë se plehrat dërgohen në incineratorin e Fierit, ndërsa ajo që shfaqet në videon e Sharkës është vetëm një makinë e defekt.

"Bashkia Lushnje të gjitha mbetjet i dërgon në incineratorin e Fierit. Në ish-fushën e mbetjeve të Krutjes hidhen vetëm mbetje të gjelbërta, të cilat dekompozohen në atë fushë. Makina teknologjike nuk ka qenë duke derdhur mbetje urbane, por ka pasur defekt dhe është parkuar në atë fushë vetëm për riparim".

Korreshi tha se pas përfundimit të kontratës me kompaninë koncesionare, bashkia Lushnje ka marrë përsipër pastrimin e qytetit por kjo nuk është pritur mirë nga disa individë dhe për këtë po djegin koshat e mbeturinave.

"Shërbimi i pastrimit kalon në shtet dhe brigada e pastrimit i bashkohet ndërmarrjes së pasurisë publike. Një shërbim që kalon nga një kontratë me një kompani private në një kompani shtet. Mbrëmë kemi pasur një rast djegie të kontenierëve dhe ka rrezikuar djegien e kabinës elektrike".

Ai u shpreh gjithashtu se veprimet janë denoncuar në prokurori.