Agron Malaj, 11 mln euro tendera pa garë/ Në 4 vite Bashkia Mat bëri 48 tendera duke cënuar konkurrencën

Bashkia e Matit e drejtuar nga socialisti Agron Malaj në katër vitet e fundit ka realizuar 48 tendera me vlerë 11 milionë euro, ku konstatohet mungesa e garës.

Thirrja e kryeministrit Edi Rama për të mos lejuar tendera me kritere të qepura me porosi, nuk ka zënë vend as në Bashkinë e Matit. Institucioni që drejtohet nga Agron Malaj, me një mandat të marrë pa garë, në katër vitet e fundit ka dhënë 48 tendera me vlerë 1.3 miliardë lekë ose 11 milionë euro me procedura, ku shpesh vërehet se nuk ka pasur konkurrim.

Në një vëzhgim të bërë në platformën Open Procurment, nga 48 prokurimet, 28 janë dhënë në mungesë të garës, në 17 prej tyre duke skualifikuar ofertat më të mira dhe 3 prej tyre janë dhënë me negocim duke lidhur marëveshjen me kompanitë fituese në mënyrë të drejtpërdrejtë.

Këtu vlen të përmenden edhe prokurimet me vlera të mëdha si tenderi prej 4.8 milionë eurosh për ndërtimin e ujësjellësit të Burrelit dhe njësive administrative Derjan dhe Rukaj. Në këtë rast morën pjesë dy subjekte, por një prej tyre nuk paraqiti fare ofertë.

Në mungesë të konkurrencës janë dhënë edhe dy tenderët e tjerë për ndërtimin e ujësjellësit në dy njësitë administrative Derjan dhe Rukaj. Si në të parin me vlerë 2.4 milionë euro ashtu edhe në të dytin me vlerë 939 mijë euro, ka marrë pjesë e njëjta kompani dhe është shpallur fituese pa pasur garë.