ONM rekomandon në KPA shkarkimin e prokurores së Tiranës Mariola Mërtiri, kunatës së Mirel Mërtirit
Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, ka rekomanduar shkarkimin e prokurores së Tiranës, Mariola Mërtiri, e cila rezulton të jetë dhe kunata e Stela Gugallja dhe Mirel Mërtirit.
Dy persona këta që janë shpallur në kërkim nga SPAK, për aferën e inceneratorëve.
ONM, pasi është njohur me vendimin e zbardhur të trupit gjykues të KPK-së, ka rekomanduar rastin e prokurores Mariola Mërtiri, se duhet të ankimohet pranë Komisionit të Posaçëm të Apelimit dhe të shkarkohet.
Në argumentin e dhënë, ONM thotë se ka gjetur kontakte të Mërtirit me një person të dënuar në Itali për shfrytëzim prostitucioni dhe trafik narkotikësh. Sipas KPK-së, Mërtiri nuk e kishte deklaruar këtë kontakt. Madje, ky person i dënuar thuhet se i kishte shitur Mërtirit dhe bashkëshortit të saj apartamentin në Fier për 4.5 milionë lekë në vitin 2011.
ONM përmend edhe lidhjen e prokurores me Klodian Zoton, Stela Gugalljan dhe Arenc Myrtezanin, dy të parët të shpallur në kërkim dhe i treti i arrestuar në atë që njihet si afera e inceneratorëve.
Prokurorja Mariola Mërtiri, kunata e Mirel Mërtirit dhe Stela Gugalljes, ka mohuar se kishte kontakte të papërshtatshme.
Ajo ka deklaruar se njohjet e saj me kunatën kishin qenë të përcipta dhe lidheshin vetëm prej faktit se ajo ishte bashkëjetuese e vëllait të bashkëshortit të saj. Gjithashtu ajo ka mohuar se njihte Klodian Zoton dhe personat e tjerë të përmendur në aferë.
Hetimi administrativ për Mërtirin u krye nga trupa e kryesuar prej Etleda Çiftjas, me relator Roland Ilia dhe anëtare Pamela Qirko, ndërsa vëzhgues ndërkombëtar ishte Willem Brower.
Gjatë seancës dëgjimore u bë me dije se Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit kishte paraqitur si gjetje në kriterin e figurës së prokurores së Tiranës, Mariola Mërtiri dhe i kërkoi asaj shpjegime për lidhjet e saj dhe të bashkëshortit me personat e shpallur në kërkim për akuza të korrupsionit në aferën e inceneratorëve.
Prokurorja Mariola Mërtiri është kunata e Mirel Mërtirit dhe Stela Gugalljes, por ajo mohoi në fjalën e saj të kishte kontakte të papërshtatshme.
Ajo i tha KPK-së se njohjet e saj me kunatën kishin qenë të përcipta dhe lidheshin vetëm prej faktit se ajo ishte bashkëjetuese e vëllait të bashkëshortit të saj.
Ndërsa mohoi të njihte Zoton dhe personat e tjerë të përmendur në aferën e inceneratorëve. Dhe minimizoi rolin e bashkëshortit të saj si i punësuar i kompanisë në fjalë.
