Tritoli shkatërroi zonën/Bizneset pranë hotelit të shembur në Sarandë denoncojnë dëme të mëdha materiale
Hedhja në erë me tritol e hotelit në Sarandë ka dëmtuar shumë biznese pranë tij. Administratorët e tyre thonë se rregullimet e tyre mund tu kushtojnë rreth 30 mijë euro dhe druhen nëse do të arrijnë të çelin sezonin turistik në 1 maj.
Hedhja në erë me 50 kg tritol e hotel "Bizantit" në Sarandë ka shkaktuar dëme materiale të mëdha në të gjithë zonën buzë detit.
Këtë restorant e ndante me hotel "Bizantin" vetëm një gardh druri.
Dëmet materiale aty janë në çdo metër katror.
"Pjesa që bashkohesha është thuajse ngjitur me hotelin, gjithë ajo pjesë është shkatërruar."
Puna për të shpëtuar çfarë të mundeshin dhe të restauronin pjesën tjetër nisi që ditën e shkatërrimit.
Administrator i këtij restoranti thotë se nga përllogaritjet e deritanishme kostoja totale e rindërtimit do të shkojë në 30 mijë euro.
"40% e ndërtesës ra në tokë. Dëmtim kolosal. Vetëm furnizim i dëmtuar është rreth 15 mln lekë."
Apeli i bizneseve u shkon autoriteteve për kompesim të dëmit, në mënyrë që të kenë mundësinë të hapin subjektet e tyre për nisjen e sezonit turistik.
"Shteti besoj se ka sy e veshë të shikojë, tu japë një dorë para sezonit të gjithë biznesmenëve që janë rreth e qark kësaj fatkeqësie."
Pas shpërthimit, bizneset në vijë të parë në Sarandë duket se nuk përcaktojnë dot një datë se kur do të jenë gati për të çelur sezonin turistik.
