Inter shtyn Napolin drejt titullit, zikaltërit dështojnë në fushën e Sampdorias (VIDEO)
Çfarë asisti i jep Interi Napolit që shkëputet në 15 pikë nga vendi i dytë që mbahet pikërisht nga zikaltërit e Simone Inzaghit të cilët reflektuan sërish rënie tensioni, njjë situatë e përsëritur këtë sezon.
Ndodhi sërish ndaj një skuadre më të lehtë në letër. Sampdoria lufton për të siguruar edhe një vit shtesë në Serie A dhe barazimi pa gola në Gjenovë i shkon për shtat skuadrës së ish-it Stankovic, i cili i jep fund një serie shumë negative rezultatesh ndërsa në krahun tjetër, Inter tregon limitet e një skuadre ende me probleme.
Lukaku ka harruar të gjejë rrugën e rrjetës, ndoshta edhe i demotivuar nga një sezon shumë i keq, ndërsa pjesa tjetër e skuadrës stonoi në të ftohtin e stadiumit “Marassi”. Mbyllet kështu 0-0 sfida e javës së 22 ku Audero bëri mrekullinë në fund ndaj Acerbit, shumë pranë golit në minutat shtesë.
Me këtë barazim, Interi ngjitet në kuotën 44, tre më shumë se Atalanta, Roma dhe Milan, ndërsa Sampdoria shkon 11 por mbetet në vendin e parafundit me 8 pikë diferencë nga zona e shpëtimit.
