Liverpool dominon derbin e qytetit, Klopp rigjen fitoren pas një muaji e gjysmë (VIDEO)

Nuk fitonte që prej 30 dhjetorit në kampionat dhe për të thyer mallkimin dhe kaluar momentin negativ, Liverpool shfrytëzon derbin e qytetit. Në “Anfield Road” ka vetëm një skuadër dhe ai është ekipi i drejtuar nga Jurgen Kopp që dominoi Evertonin që vinte në këtë përballje pas triumfit me Arsenalin.

Mohamed Salah gjeti golin e nëntë sezonal duke i dhënë fund shterpësisë që zgjaste që prej 26 dhjetorit, ndërsa Gakpo realizon golin e parë personal me fanellën e Liverpool ku u transferua vetëm një muaj e gjysmë më parë.

Në tentativën e pestë sezonale, holandezi më në fund u zhbllokua duke hequr edhe presionin e madh pasi “The Reds” paguan plot 40 milionë euro për ta bashkuar me skuadrën që në merkaton e dimrit.

Fitore kjo që i jep “oksigjen” Liverpool-it që ngjitet në kuotën e 32 pikëve, 9 pikë larg Newcastle që mban vendin e fundit të zonës Champions por edhe me një ndeshje më pak se “qymirxhinjtë”. Në krahun tjetër, Everton rikthehet sërish në zonën e ftohtë me vetëm 18 pikë, po aq sa Bournemouth i vendit të 19.