Në gjykatë për fishekët e Gërdecit, Mediu: Procesi politik, shtrembërim skandaloz i të vërtetës

15 vjet pas tragjedisë së Gërdecit, pikërisht në muajt e parë të këtij viti, SPAK ka hapur një dosje të re për këtë çështje.

Hetimet po zhvillohen për korrupsion dhe pastrim parash lidhur me rolin e kompanive Edvin dhe AEY që dyshohet se kanë dërguar në SHBA me paketim e çmime të ndryshuara, fishekët që duhej të ishin demontuar në Gërdec.

Njëherësh SPAK ka dorëzuar në gjykatë dosjen e parë me të pandehur Fatmir Mediun për shpërdorim detyre.

Kreu i Partisë Republikane i ftuar në Ora News insiston se i gjithë procesi është politik.

Mediu: Që në fillim kjo çështje është iniciuar politikisht duke ndërtuar një fabul që ministria e Mbrojtjes në atë kohë ishte një organizatë kriminale e cila demontimin e nisi si proces kriminal për përfitime. Për të vazhduar me një fabul tjetër që ky ministri nuk pyeste për ushtarakët.

Dhe pastaj për shkak të kësaj sjellje për interesa të ministrit ndodhi ajo që ndodhi. Është një shtrembërim skandaloz i të vërtetës. Demontimi duhej të bëhej, ka pasur mbi 60 viktima para se të ndodhte Gërdeci. Ishte rrezik për sigurinë kombëtare, jetën e  qytetarëve. Ishin mbi 100 mijë ton armatime dhe municione të tepërta.

Qasja që pati prokuroria ishte terësisht politike, duke lozur dhe me dhimbjen e madhe se ishte një tragjedi. Është politike se edhe u hap në mënyrë krejt të paligjshme përsëri si çështje dhe pse ishte parashkruar dhe gjykuar. Për më tepër për më shumë sesa një vit në hetim nuk ka asnjë fakt të ri.

Nuk merr në analizë as shqyrtimin e  fakteve që ka marrë në analizë vetë gjykata.Më shumë se interesi për të drejtën është interesi për të bërë politikë me këtë çështje.

Mediu argumentoi më tej se pse akuza "shpërdorim detyre" e ngritur ndaj tij nuk qëndron.

Mediu: Në një vend demokratik dhe anëtar të NATO-s ministri është autoritet civil jo ushtarak. Ai vetëm delegon autoritet për aq sa i ka dhënë ligji. Ministri thuhet se ka shkelur nenin 3 të Kushtetutës që flet për lirinë e qytetarëve, bashkëjetësën fetare dhe etnike.

Thotë se ka shkelur ligjin për mjedisin dhe ka krijuar një dëm në tatime. Dhe nuk ka pasur dy kontrata. Kontrata e parë me këtë kompani që ishte e certifikuar nga Departamenti i Mbrojtjes dhe Departamenti i Shtetit. Për kompaninë kanë vendosur strukturat ushtarake civile jo ministri.

Kontrata e parë është mbyllur me sukses. Ministria e Mbrojtjes ka fituar jo vetëm financiarisht por edhe me demontimin që i është bërë fishekëve. Ka pasur kërkesë për të vazhduar një kontratë të dytë. Një nga debatet është se urdhri është i paligjshëm se ministri ka rritur kalibrat në një kohë që 76 ushtarakë që kanë qenë në proces kanë deklaruar se ne nuk kemi klasifikim sipas kalibrave.

Ngjarja në Gërdec ka ndodhur për shkak të sasisë së madhe të municionit që është çuar në Gërdec,  mosadministrimit, depozitimit të drejtë, barutit të tepërt të vendosur në kontenier dhe për shkak të mungesës së teknologjisë nga kompania.

Mediu mohoi edhe lidhjet me kompaninë e demontimit.

Mediu: Unë kam marrë pjesë vetëm në dy diskutime për çështje demontimi. Nuk kam asnjë lloj marrëdhënie dhe dijenie. I vetmi raport për Gërdecin ka qenë një raport i policisë ushtarake pa filluar procesi.

Unë kam thënë të merren masa për procedim disiplinor dhe penal për çdo shkelje. Ministri i Mbrojtjes është në planin politik. As urdhri as VKM nuk kanë prodhuar një ngjarje të tillë.