“Benzi C300” u dhurua një muaj para vrasjes së “Ilit” e Regis Runaj. Ja skema si SPAK zbuloi korrupsionin e oficerit Leonard Palushi

Zbardhen detaje e reja se si prokuroria e posaçme SPAK, ra në gjurmët e “Benzit C300” me Benzinë, që Erjon Alibej, ja dhuroi specialistit të hetimit të krimeve të rënda në Elbasan, Leonard Palushi.

Dhurimi i këtij “Benzi C300”, është bërë në datën 23 qershor 2020, vetëm një muaj para se të vritej në Elbasan, Emiljano Ramazani ose “Ili” dhe pas 7 ditësh vritet Regis Runaj. Këta të dy persona ishin në listën e kundërshtarëve, për tu s’pastruar nga Alibej dhe Nuredin Dumani.

Automjeti në foto është dhuruar në këmbim të shërbimeve që Palushi do i jepte Alibej, duke dhënë informacion të gabuar tek eprorët e tij me qëllim futjen në konflikt të hapur mes dy grupeve kriminale.

“Ora News” zbulon detaje të reja rreth kësaj çështje, pasi i pari që ka folur për dhurimin e një automjeti, por pa përcaktuar tipin, ka qenë bashkëpunëtori i prokurorisë, Nuredin Dumani.

Ky i fundit në rrëfimin e tij, i ka pohuar prokurorëve se Erjon Alibej, para se të kryenin vrasjen e Ramazanit dhe Runaj, i ka dhënë një makinë Leonard Palushit, në shenjë mirënjohje dhe si vijim të ndihmës që ai do i jepte, për të mbuluar ngjarjet kriminale.

“Benzi C300” u dhurua një muaj para vrasjes së
Mjeti tip “Benz-Mercedez C300”

Lidhur me këtë rrëfim të Dumanit, SPAK-ut i është dashur të kryejë verifikime në disa drejtime. Në datën 17 Tetor 2022, SPAK ka kërkuar informacion nga Drejtoria e Përgjithshme Shtetërore e Transportit Rrugor, për posedimin e automjeteve që ka në pronësi Leonard Palushi, apo qoftë automjete që ai ka përfituar me dhurim apo këmbim.

DPSHTR në Tiranë, me shkresën Nr. 23475/1 të datës 19 Tetor, ka konfirmuar disa automjete që kanë qenë në pronësi të oficerit Leonard Palushi. Dokumentet e këtyre automjeteve janë administruar nga prokurorët e SPAK, të cilët më pas i kanë verifikuar tek dy noterë në qytetin e Elbasanit.

Në Elbasan, SPAK ka lokalizuar noterin ku prej tij ka mësuar dhe emrin e personit që ka dhuruar automjetin tip “Benz-Mercedez C300” tek një person tjetër që është i afërm me Leonard Palushin.

Pas disa kohësh, Leonard Palushi mjetin tip “Benz-Mercedez C300” e ka ndërruar me një automjet tip “Toyota RAV 4”.

“Benzi C300” u dhurua një muaj para vrasjes së
Mjeti tip “Benz-Mercedez C300”

Nisur nga kjo situatë, SPAK ka vendosur të ndryshojë akuzën për oficerin e policisë së Elbasanit nga “Shpërdorim detyre” në “Korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”.

Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.