Sot zi kombëtare për viktimat e tërmetit në Turqi, Bashkia Elbasan ul flamurin në gjysmështizë
Nga OraNews Përditësimi i fundit 13 Shkurt 2023, 09:55

Dita e sotme, është shpallur nga qeveria shqiptare, ditë zie kombëtare në shenjë dhimbjeje e lutjeje për viktimat e tragjedisë së madhe të tërmetit në kufirin turko-sirian.
Bashkia Elbasan, ka ulur flamurin në gjysmë shtize, në shenjë zie për humbjen e jetëve të mijërave njerëzve në shtetin turk.
Ndaj, në këtë ditë zie, Bashkia Elbasan, fton të gjithë qytetarët që në orën 18:00 të mblidhemi të gjithë së bashku dhe të ndezim një qiri në shenjë dhimbjeje njerëzore për të gjithë jetët e humbura.
Shqipëria i është bashkuar që në orët e para dhimbjes që ka shkaktuar tërmeti shkatërrimtar në Turqi, ndërsa ka dërguar edhe një numër të konsiderueshëm forcash të kërkim-shpëtimit në zonat e goditura nga tërmeti.
