Përkujtohen 11 dëshmorët e Fekenit, orteku u mori jetën studentëve më 1981

U përkujtuan 11 dëshmorët e Fekenit, ish-studentët e shkollës së bashkuar të cilët po kryenin stërvitjen dimërore në vitin 1981.

Orteku që ra mori në lulen e rinisë studentë por dhe drejtues ish-ushtarakë të cilët mbetën nën dëborë. Pas 42 vitesh nisma e ish-studentit Agron Zerani njëri nga të mbijetuarit e kësaj ngjarje, mundësoi kujtesën e tyre.

Zerani mbolli 11 selvi pranë liqenit të Farkës dhe nën kujdesin e bashkisë Tiranë dhe Ministrisë së Mbrojtjes u vendos edhe pllaka përkujtimore me emrat e tyre.

Në ceremoni folën përfaqësues të familjes, Agron Zerani si nismëtar i kësaj ceremonie, Gjeneral Brigade Bilbil Bitri komandant i akademisë ushtarake, Bamir Topi ish-president i republikës dhe Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi.

 Më pas është zbuluar pllaka e mirënjohjes ku janë vendosur tufat me lule dhe janë bërë fotot e rastit, duke përjetësuar kësisoj një ngjarje e cila mori vëmendjen e duhur për ti promovuar jo thjesht në një vend të bukur, por për ti sjellë më pranë njerëzve dhe publikut.