Fshehën 8 kg kanabis në makinë dhe tentuan ti ikin policisë, në pranga dy persona në Tiranë

Dy persona janë arrestuar nga policia në Tiranë pasi në automjetin e tyre u gjetën 8 kg kanabis të fshehura, ndërsa gjatë ndalimit ata tentuan të largoheshin.

Me finalizimin e operacionit policor të koduar "Following" u arrestuan në flagrancë shtetasit N. Ç., 27 vjeç, banues në Rrëshen, Mirditë, dhe L. N., 53 vjeç, banues në Shënkoll, Lezhë.

Shërbimet e Policisë, pas marrjes së informacionit se këta dy shtetas do të transportonin një sasi kanabisi në zonën e Valiasit në Kamzë, janë vënë në ndjekje të tyre dhe në rrugën "Abdi Toptani", kanë lokalizuar të ndaluar, automjetin tip "Benz", në afërsi të të cilit ndodheshin shtetasit N. Ç. dhe L. N. Sapo kanë parë shërbimet e Policisë, këta shtetas kanë tentuar të largohen, por janë kapur dhe vënë në pranga.

Gjatë kontrollit në automjetin tip "Benz", u gjetën të fshehura në bagazh, 8 kg kanabis, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale së bashku me automjetin dhe 2 aparate celulare.

Vijon puna për identifikimin e shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.