Në shkollë mes baltës, rruga që lidh fshatin Braçanj dhe Dobranj në Bilisht, pa asnjë investim

Mungesa e investimeve në zonat rurale po shqetëson banorët e këtyre fshatrave. Lënien pa investime e kanë denoncuar edhe banorët e fshatit Braçanj në Bilisht.Ata thanë se rruga që lidh fshatin e tyre dhe një tjetër fshat është lënë tërësisht në harrese, dhe se premtimet e politikanëve kurrë nuk kanë marrë zgjidhje.

Kjo është rruga që lidh fshatin Braçanj me atë të Dobranjit në Bilisht.
Nuk bëhet fjalë për asfalt, por as aty balta dhe gropat me ujë janë prezente përgjatë gjithë gjatësisë së saj.

Banorët thonë se prej 32 vitesh nuk është ndërjyrë asnjëherë.

"Rruga ka vështirësi si për kalimtarët dhe për mjetet, ka gropa ,ujë, të tëra.
Rruga Dobranj - Braçanj është tepër e amortizuar, tepër, tepër sa nuk dalim dot," thonë banorët.

Situata bëhet më e vështirë gjatë periudhës së dimrit ku fëmijët e fshatit Dobranj ecin mes baltës dhe gropave me ujë, për të shkuar në shkollë.

"Vijnë fëmijët përdit të fshatit Dobranj në shkollë , kalojnë nëpër ujë.
Rruga është shqetësuese, vijnë fëmijët nëpër ujë," thonë ata.

Sipas banorëve kjo është rruga e vetme që lidh dy fshatrat, por pavarësisht kësaj nuk ka pasur ndërhyrje.

"Premtime ka patur gjithmonë por nuk është bërë gjë. S'kalojmë dot as me karrocë jo me makinë që jo e jo.  Premtohet vetëm për fushata, që do të shtrohet," thanë ata.

Sa herë ka zgjedhje elektorale thonë banorët bëhen premtime për investimin e kësaj rruge, e më pas premtimet mbeten vetëm të tilla pa u bërë asnjëherë realitet.