"Sytë e krimit" dhe poshtë urave, hiqen 9 kamera në Mirditë e Lezhë, në hetim një shtetase
Policia ka çmontuar dhe 9 kamera të tjera në Mirditë dhe në Zejmen, Lezhë të vendosura në kundërshtim me ligjet në fuqi.
Në këtë aksion nisi dhe hetimi për në shtetase.
Në videon e publikuar nga Policia e Shtetit shihet se kamera ishin vendosur dhe poshtë një ure.
"Me finalizimin e operacionit të koduar “Fijet”, iniciuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, si dhe me mbështetjen e inteligjencës informative, për vendosjen e paautorizuar të disa kamerave, në fshatra të Lezhës dhe në Rrëshen, me qëllim sigurimin e informacioneve në kundërshtim me ligjet në fuqi, për qëllime kriminale apo për të monitoruar lëvizjet e Policisë, u çmontuan në rrugën "Vaso Pasha" 5 kamera të dyshuara të lidhura me celularë të shtetasve të ndryshëm, ende të paidentifikuar.
-Strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Lezhë kanë çmontuar në fshatin Zejmen, Lezhë, 4 kamera. Për vendosjen e tyre në kundërshtim me ligjin, janë iniciuar hetimet në Prokurorinë e Lezhës, për shtetasen M. P.," njoftoi policia.
Kamerat e sekuestruara ishin vendosur pa lejen përkatëse të organeve kompetente. Vendosja e tyre është në kundërshtim me ligjin 9887, të datës 10.03.2008 "Për mbrojtjen e të dhënave personale" dhe përbën veprën penale "Ndërhyrje të padrejta në jetën private", që parashikohet nga neni 121 i Kodit Penal.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme.
