Ngacmoi gruan e fisit, në burg 4 anëtarët e familjes Ndoj që i thyen dhëmballët dhe gishtat autorit
Katër anëtarë të fisit Ndoj në Sarandë janë lënë në burg nga Gjykata pasi akuzohen për dhunë dhe pengmarrje të shtetasit Gentian Omerit. Ky i fundit mendohet të ketë ngacmuar një grua të fisit Ndoj, ndërsa në shenjë hakmarrjeje 4 anëtarët e fisit e kanë dhunuar Omerin duke i thyer dhëmballët dhe gishtat.
Gjykata e Sarandës ka lënë në arrest me burg pa afat 4 të arrestuarit Pjetër, Astrit, Aleksander dhe Anton Ndoj, të akuzuar për një aksident me qëllim pengmarrjen e një personi.
Prokurori i çështjes, Ilir Hoxha, ka paraqitur përpara gjykatës provat ndaj të arrestuarve dhe ka kërkuar masën “burg pa afat”, e cila është pranuar nga gjyqtari Alban Meçani.
Të arrestuarit nuk kanë patur pretendime dhe nuk kanë kundërshtuar kërkesën e prokurorit për masën e arrestit në burg.
Të 4 të arrestuarit do të transferohen drejt burgut të Bënçës pas mbylljes së paraburgimit në Sarandë.
Astrit Ndoj i përplasi makinën Gentian Omerit që ta nxirrte nga rruga dhe ta merrte peng ndërsa shoqërohej nga Pjetër Ndoj, Aleksandër Ndoj, Anton Ndoj dhe Alfred Ndoj.
Mjeti i Omerit përfundoi në kanal ndërsa 5 të afërmit e nxorën me forcë dhe e futën me forcë në bagazhin e makinës, duke e dhunuar për ngacmimin ndaj një gruaje të fisit Ndoj dhe e lanë pa ndjenja në rrugë me dhëmbë dhe gishtërinj të thyer.
