Moti i keq: Në Bogë 1 m dëborë, në Shkodër e Lezhë shqetësim përmbytjet, 2 mijë hektarë nën ujë

Në 13 shkolla të vendit ditën e hënë nuk do të zhvillohet mësim.

Për shkak të motit të keq institucionet arsimore në njësitë administrative të Shkodrës, Pult, Shosh dhe Shalë do të qëndrojnë të mbyllura.

Reshjet e borës në veri e verilindje të vendit shkaktuan probleme përgjatë fundjavës.

Në Bogë trashësia e borës arriti në rreth 1 metër.

Aksi Boge-Theth u bllokua te zona e orteqeve.

I qarkullueshëm ishte vetëm segmenti Boge-Qafe-Thore.

3 borëpastruese dhe mjete të tjera punuan gjatë të dielës për pastrimin e rrugës nga ortekët.

Aksi Tamare-Vermosh u hap në dy korsi por për qarkullim duhen goma dimërore.

Në disa segmente ku pjerrësia e rrugës është e madhe nevojiten zinxhirë.

Në Bashkinë  Malesi e Madhe akset rrugore janë të kalueshme por në disa zona pati ndërprerje të energjisë.

Në juglindje situata ishte e qetë pavarësisht reshjeve të borës.

Në Mashkullorë trashësia e borës arriti deri në 1 metër.

Ne akset rrugore nacionale dhe turistike qarkullimi i mjeteve behet pa probleme.

Në zonat e ulëta shqetësim ishin reshjet e shiut.

Në Shkodër të dielën u zgjerua harta e përmbytjeve me mbi 1 mijë e 200 hektarë nën ujë.

Më problematike situata ishte në Njësinë Administrative Ana e Malit ku janë përmbytur rreth 1 mijë e 200 hektarë.

Në Obot prezenca e ujit në rrugë mëngjesin e të dielës arriti 65 centimetra.

Në fshat mund kalohej vetëm me mjetet e ushtrisë.

E pakalueshme mbeti rruga Shirq-Darragjat, në vendin e quajtur Urrelat e Shirqit ku prezenca e ujit arrin në 30 centimetra

Sakaq Ujësjellësi Oblika 1 vazhdon të mbetet jashtë funksionit.

Në Kurbin e Lezhë situata paraqitet më e qetë.

Sipas të dhënave të dielën në këtë qark ndodheshin nën ujë 530 hektarë tokë bujqësore.

Në fshatin Spiten, në Njësinë Administrative Zejmen janë përmbytur rreth 200 hektarë

Banorët thonë se shkak kryesor është mosfunksionimi i hidrovorit.

Pavarësisht dëmeve të mëdha në të mbjella thonë se askush nga pushteti vendor nuk ka shkuar t`i shohë e as ti ndihmojë.