Allegri nuk e bën dramë, mendon ende për zonën Champions

Nuk dëshiron të dëgjojë për problemet jashtë fushës së blertë sepse ai është trajner dhe “dhimbja e kokës” duhet t’i vijë nga ajo që ndodh në skuadër. Massimiliano Allegri e kalon me diplomaci momentin aspak pozitiv të klubit që u dënua me 15 pikë në klasifikim dhe tashmë Juventusi duhet të riniset nga vendi i 11.

“Duhet të vazhdojmë të bëjmë punën tonë sepse vendimi i apelit do të vijë pas dy apo tre muajsh dhe nuk duhet të kemi asnjë keqardhje kur të vijë momenti. Çështjet gjyqësore i takojnë klubit dhe ne nuk duhet ta shikojmë si një rinisje.

Për momentin klasifikimi thotë se kemi vetëm 22 pikë dhe duhet të grumbullojmë sa më shumë që të fitojmë pozicione.  Unë nuk jam në gjendje të them nëse kemi të bëjmë me një situatë të rëndë ose jo. Duhet të pranojmë vendimet dhe klubi e ka bërë një komunikatë në lidhje me këtë çështje.

Jam i bindur që djemtë do të përpiqen të bëjnë diçka të jashtëzakonshme. Të gjithë kanë përgjegjësi për punën e tyre. Kur më thanë se mund të na hiqnin 9 pikë, bëra menjëherë llogaritë e zonës Champions dhe kur na thanë 15, bëra një llogari të re. Për të shkuar në zonën Champions e theksoj, duhet të bëjmë një gjë të jashtëzakonshme”.