Auditoret e huaja “të kripura”/ Nga Europa në SHBA, ja sa kushton një vit studimi shkollë+jetesë

Pamundësia financiare do ta privojë Imogenën nga ëndrra e saj për të studiuar jashtë vendit.

"Do të doja shumë por mundësitë nuk janë. Ka dhe vështirësi të tjera përveç atyre financiare, familja nuk do që unë të largohem."

Janë të shumë maturantët që dëshirojnë të ulen në auditoret e universiteteve të huaja, por shpenzimet nuk i përballojnë dot.

"Më mirë do të ishte jashtë shtetit por nuk e përballoj dot."

Të studiosh jashtë kufijve, për një familje më të ardhura mesatare kushton shumë.

Erblin Jaku, këshillues edukimi, tregon se në Evropë një vit akademik shkon deri në 15 mijë euro.

"Në Gjermani, Austri, Francë dhe Belgjikë, shkollë+jetesë në një vit është 13-15 mijë euro."

Çmimet në Angli dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë edhe më të kripura.

Në SHBA një vit akademik shkon deri në 100 mijë dollarë.

"Nga 25-35 mijë euro viti shkollë+ jetesë. Sa i përket Amerikës aty është në dollarë, mund të jetë nga 25-100 mijë dollarë."

Ata që zgjedhin të studiojnë jashtë, program të preferuar kanë mjekësinë.

"Mbizotërojnë degët e biznesit dhe shkencave kompjuterike pastaj mjekësia është gjithmonë në vend të parë."

Dëshira për një arsim cilësor, thotë Jaku, është arsyeja kryesore që i nxit të rinjtë të lënë Shqipërinë.

"Duan një cilësi edukimi shumë të mirë. Ka edhe studentë që nuk duan vetëm cilësinë e edukimit por dhe një eksperiencë jete ndryshe."

Teksa disa nuk i kanë mundësitë financiare, numri i atyre që studiojnë jashtë është rritur nga viti në vit.

Përgjatë 2022 ishin rreth 10 mijë të rinj që nisën vitin akademik përtej kufijve.

Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.