Korçë, në pranga punonjësi i konsulencës, premtonte certifikata pronësie në këmbim të parave

Një 27 vjeçar, punonjës në një zyrë private konsulence,  është arrestuar nga policia në Korçë pasi në këmbim të parave u premtonte qytetarëve certifikata pronësie

Me finalizimin e operacionit të koduar "Pronësia e rreme" u arrestua E. Ç., 27 vjeç, banues në Korçë.   

"Nga veprimet hetimore ka rezultuar se ky shtetas, gjatë periudhës qershor-tetor 2022, duke shfrytëzuar pozicionin e tij të punës në një zyre private konsulence në fushën e pronësisë, ka përfituar shuma të konsiderueshme parash nga qytetarë të ndryshëm, duke i mashtruar ata me premtimin se do t’i pajiste me certifikata pronësie," njoftoi policia.

Vijon puna intensive për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të bashkëpunëtorëve të shtetasit E. Ç., në këtë veprimtari të paligjshme.  

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprime të mëtejshme.