Kishin fshehur një pistoletë në magazinën e lokalit, prangosen babë e bir në Tiranë

Në kuadër të operacionit policor të koduar "Night", për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje, policia e Tiranës bën me dije se ka prangosur shtetasit Mirjan dhe Sahit Hysa, babë e bir, të cilët në magazinën e lokalit të tyre mbanin të fshehur një armë zjarri pistoletë.

Mesohet se operacioni u zhvillua nga Forca e Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 6.

“Shërbimet e Forcës së Posaçme "Shqiponja", në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 6, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, se dy shtetas mbanin armë zjarri, në lokalin e tyre, në rrugën "Astrit Losha", kanë organizuar dhe finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Night”.

Si rezultat i këtij operacioni, u arrestuan në flagrancë shtetasit M. H., 36 vjeç dhe S. H., 67 vjeç, banues në Tiranë.

Gjatë kontrollit në magazinën e lokalit të këtyre shtetasve, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak”, thekson policia.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.