Arrestohet me urdhër të SPAK Akil Nerjaku në Durrës, ndalohen edhe tre persona të tjerë

Akil Nerjaku është arrestuar me urdhër të prokurorisë së Posaçme SPAK, ndërsa ende nuk ka detaje nga ky operacion me 4 të arrestuar dhe dy të tjerë të shpallur në kerkim, mes tyre edhe Ramazan Rraja.

Drejtuesi i prokurorisë së Posaçme SPAK, Altin Dumani, lëshoi një ditë më parë një mandat shoqërimi për Ramazan Rrajën, nipin e deputetit socialist në Krujë Rrahman Rraja. Mëngjesin e së enjtes SPAK, RENEA dhe oficerë të BKH kanë kryer kontrollin e disa banesave në zonën e Rinasit, Niklës dhe Krujës, me shpresën lokalizimin dhe më pas arrestimin e Ramazan Rrajës, por pa sukses.

Akil Nerjaku nuk është emer i panjohur për policinë. Ai është arrestuar disa vite më parë për armëmbajtje pa leje dhe është liruar më pas nga gjykata.

Po ashtu edhe Rraja është një personazh i njohur për policinë. Emri i tij është lakuar në vijimësi nga media.

Nga dje mësohet se SPAK po vijon me kontrollet e banesave dhe ndalimin e personave te dyshuar si pjesëmarëës në veprimtari kriminale.

Gjatë aksionit të djeshëm është shpallur në kërkim Ramazan Rraja, ndërsa janë ndaluar persona të tjerë, për ngjarjen kriminale të ndodhur në 1 nëntor 2019 në mbikalimin e Sukthit.

Në këtë ngjarje mbeti i vrarë Andi Maloku dhe u plagosën Landi Muharremi dhe prokurori Arjan Ndoja.

Arrestohet me urdhër të SPAK Akil Nerjaku në Durrës,
Akil Nerjaku

Akil Nerjaku ka qenë shënjestër e një atentati me snajper që dështoi në zonën e plazhit në Durrës, në shtator të vitit të kaluar.

Në atë kohë Nerjaku ka qenë duke lëvizur në këtë zonë në momentin kur ka ndodhur ngjarja, ku autorët kanë qëlluar me snajper nga brenda një furgoni sapo ai ka dalë nga automjeti i blinduar G-Class.

Plumbi nuk ka e kapur shënjestrën, por ka përfunduar në një automjet që ndodhej i parkuar, me targa të huaja.