Shi, përmbytje e dëborë: Bllokohet rruga e Arbërit, në Shkodër 1100 Ha tokë të përmbytura
Reshjet e shiut dhe të dëborës kanë shkaktuar një sërë problematiksh në vendin tonë. Teksa Nënshkodra vijon të jetë nën ujë, zonat malore në të gjithë territorin e vendit, janë përfshirë nga reshjet e dëborës. Problematikat kryesore janë hasur nëpër rrugët e vendit, ndërsa veç rrugës së Arbërit akset e tjera janë të qarkullueshme me zinxhirë dhe goma dimërore.
Për të disatën ditë me radhë Shqipëria vijon të përballet me kushte të vështira atmosferike.
Reshjet e shiut i ka zëvendësuar dëbora në zonat malore.
Rruga e Arbërit që lidh Tiranën me Dibrën, u bllokua mëngjesin e së premtes.
Këto pamje vijnë nga Fshati Shtyllë në pjesën juglindore të vendit.
Qarkullimi drejt këtyre fshatrave por edhe zonës turistike të Dardhës bëhet me goma dimërore dhe zinxhirë.
Reshje të dendura të dëborës ka pasur edhe në Librazhd.
Në Malësinë e Madhe po punohet për zhbllokimin e aksit Bogë-Theth, të bllokuar për shkak të orteqeve në vendin e quajtur “Tunelet Panoramike”.
Sa i përket shirave, Nënshkodra vijon të jetë e përmbytur.
1100 hektarë tokë ndodhen nën ujë, ndërsa rruga e fshatit Obot është e aksesuar vetëm nga mjetet e larta të ushtrisë.
Në kaskadën e Drinit janë ulur shkarkimet në 300 m3/s krahasuar me ditën e enjte, ku shkarkimet ishin 500 m kub për sekondë.
Niveli i lumenjve është nën nivelin kritik, duke mos paraqitur problem për përmbytje në pjesën më të madhe të tyre.
Hidrovoret janë gadishmëri dhe po punojnë me kapacitet të plotë dhe nuk paraqesin problem për përmbytje.
Në Lezhë ndërkohë, është bërë evakuimi i një familjeje prej 6 personash në lagjen Kodër Mulliri në Kolsh, të cilën janë akomoduar në hotelet e zonës.
Edhe gjatë së premtes është ndërprerë mësimi në 56 shkolla, deri në një njoftim të dytë nga Ministria e Arsimit.
Sa i përket zonave portuale, vijon të jetë i bllokuar lundrimi për mjetet e vogla dhe atyre të peshkimit.
