U bllokua në kanionet e Gramshit, e shpëton RENEA, 43-vjeçari kaloi natën në shpellë
Një 43-vjeçar, i cili kishte mbetur i bllokuar prej pasdites së të shtunës në Kanionet e Holtës në Gramsh u shpëtua këtë të diel nga policia. Operacioni e shpëtimit zgjati të paktën 6 orë dhe u zhvillua në një terren të vështirë.
Janë momente nga operacioni për shpëtimin e një 43-vjeçari të mbetur në kanionet e Holtës në Gramsh.
Andrea Dervishi mbeti i bllokuar midis shkëmbinjve, në vendin e quajtur "Kalaja e Tërvolit, Gramsh, ku kishte shkuar për të vizituar kanionet.
Pasditen e të shtunës ai ka zbritur me litar rreth 80 metra lartësi duke menduar që do të dilte poshtë në kanion por litari nuk ka mjaftuar dhe ka mbetur mes dy shkëmbinjve.
Ka qenë shoku që dha alarmin se nuk kishte asnjë të dhënë nga 43 vjeçari.
Pas marrjes së njoftimit mbrëmjen e të shtunës u nisën në ndihmë të tij shërbimet e Policisë të Komisariatit Gramsh, shërbimet e forcës së posaçme "Shqiponja" Elbasan dhe shërbimet zjarrfikëse.
Për shkak të errësirës dhe terrenit të vështirë, ishte e pamundur ndërhyrja në kanione dhe 43-vjeçarit iu desh që të kalonte natën në një shpellë.
Shërbimet e Policisë kanë mbajtur kontakt të vazhdueshëm përgjatë natës dhe në orët e para të mëngjesit të së dielës, në drejtim të kanioneve, janë nisur forcat speciale RENEA.
Pas gati 6 orësh operacion forcat speciale RENEA bënë të mundur nxjerrjen e 43-vjeçarit i cili është në gjendje të mirë shëndetësore.
Në Kalanë e Tërvolit në Gramsh destinacioni i Andrea Dervishit dhe miqve të tij sipas gojëdhënave fshihet thesari i mbretëreshës Teutë.

